NOTA BENE: Marrësi i letrës, Milto Sotir Gurra veproi po ashtu edhe si përkthyes
në takimin e Bostonit më 1907 ku mori pjesë atë Grigoriefi i Salemit të Masaçusetsit, i cili u dërgua për të hulumtuar se sa ishin në gjendje shqiptarët që të mbanin një prift.
SKICË BIOGRAFIKE E
MITROPOLIT FAN STILIAN NOLIT
KOLONIA USHTARAKE
Fan Stilian Noli lindi në Ibrik-Tepe (Qyteza), një koloni shqiptare në jug të Adrianopojës, në Trakinë Lindore, të Turqisë Europiane, më 6 janar 1882. Popullsia e Trakisë Lindore e asaj kohe, ishte në pjesën dërrmuese turke, me një grusht grekësh në jug dhe bullgarësh në veri. Si u bë, pra, të gjendej kolonia shqiptare e Ibrik-Tepesë, në këtë rajon jo shqiptar? Pos kësaj, si u bë që këta shqiptarë të pushtonin njërën prej pjesëve më të plleshme të perandorisë në vendbashkimin e Maricës dhe Erginës, dy
33
lumenjve më të mëdhenj të Trakisë? Dhe ç’vend se! Ai jepte të vjela të mrekullueshme të grurit, misrit, susamit, rrushit dhe shalqirit. Llojet më të zgjedhura të bostanit, të njohura në tërë Perandorinë Turke, rriteshin aty me bollëk.
Siç thotë tradita, Ibrik-Tepeja ishte një koloni ushtarake e themeluar nga perandorë bizantinë. Këta dëshironin të kishin ushtarë dhe vullnetarë jo larg Kostandinopojës, kryeqytetit. Si të gjitha vendet e varfra e malore, Shqipëria, prej kohësh që mbahen mend, ka dhënë ushtarë e mercenarë. Në kohë paqeje perandorëve bizantinë nuk u leverdiste t’i kthenin këta ushtarë në vendet e tyre të largëta. Prandaj, u jepnin tokat më të mira të bujqësisë afër Kostandinopojës, që t’i kishin afër e të gatshëm për t’i thirrur sa më parë. Ibrik-Tepeja nuk ishte koloni e vetme e shqiptarëve në Turqi. Kishte edhe gjashtë koloni të tilla në Traki, secila në pozitë dhe gjendje të mirë.
Turqit, të cilët e pushtuan Kostandinopojën më 1453, i trashëguan këto koloni ushtarake nga bizantinët. Ata zbuluan shpejt se këta shqiptarë të krishterë ishin po aq të gatshëm për të luftuar për sulltanët myslimanë sa kishin qenë edhe për perandorët bizantinë. Prandaj, sulltanët i përkrahën ata, po aq sa dhe paraardhësit e tyre të krishterë.
GJYSHI GJERGJ NOLI
Një prijësi shqiptar iu besua detyra e rekrutimit të të rinjve dhe vullnetarëve sa herë kishte nevojë për ta në fushatat gati të pandërprera në Azi dhe në Europë. Ai gëzonte titullin fisnik të “kapitenit”. Gjyshi i Fan Nolit ishte njëri prej këtyre kapitenëve. Ai quhej Ali kapedani nga turqit dhe Gjergj kapedani nga shqiptarët vendas. Ashtu si kapitenët e tyre edhe rekrutët shqiptarë kishin nga dy emra, njërin të krishterë dhe tjetrin mysliman. Kapiten Gjergj Noli humbi jetën në njërën prej këtyre fushatave. Ai la pas vetes një pasuri të madhe, që përbëhej kryesisht nga toka bujqësore nga më të mirat afër fshatit.
GJYSHJA SUMBA NOLI
Gjyshja Sumba mbeti vejushë e re e pasur me katër fëmijë, një djalë dhe tri vajza të moshës prej dy deri shtatëvjeçare. Një i ve i ri, i quajtur Gjergj Mitrushi, ia fitoi zemrën për grua. Ai kishte vetëm një djalë me gruan e parë dhe me gjyshe Sumbën nuk pati fëmijë. Për martesën e tyre në fshat qarkullonin rrëfime të ndryshme. Sipas një zakoni të vjetër shqiptar, gjyshja Sumba nuk deshi të martohej sërish. Ajo kishte më shumë dëshirë t’ua kushtonte jetën fëmijëve të saj. Si u bind që të martohej me vejanin e ri? Disa thoshin se ajo e bëri këtë që të kishte një baba e mbrojtës për katër fëmijët e saj. Disa të tjerë pohonin se atë e kishte rrëmbyer vejani i ri. Të tjerët, që e kishin të qartë të tërë punën, mendonin se kjo ishte një martesë nga dashuria dhe se
34
rrëmbimi ishte një marrëveshje paramartesore për ta ruajtur fytyrën që të dy. Ishte po aq vështirë për vejanin e ri të martohej për herë të dytë sa edhe për vejushën e re. Që nga koha e Shën Palit martesat e dyta nuk shiheshin me sy të mirë dhe mezi duroheshin nga bota ortodokse. Madje edhe sot martesat e dyta rrallëherë kremtohen në kishë, por gjithmonë në shtëpinë e dhëndrit. Prifti dhe dhjaku zakonisht janë të vetmit që marrin pjesë. Duhet të ketë qenë vërtet martesë nga dashuria, ngaqë të dy kaluan mirë së bashku derisa një ankesë e gjatë gjyqi e prishi të tërën. Por, për këtë do të bëjmë fjalë më vonë.
GJYSHI MITRUSHI
Burrin e dytë të gjyshes, të quajtur po ashtu Gjergj, që tash e tutje do ta quajmë gjysh Mitrushi. Ai ishte njëri prej kryeparëve të pasur të fshatit. Ishte e kundërta e një njerku të rëndomtë. Si thamë më parë, kishte vetëm një djalë dhe atë të gjymtë. Pasi nuk kishte fëmijë të tjerë, ai e quante se fëmijët Noli ishin familja e vetme që kishte dhe i rriti ata të tërë në shtëpinë e tij si një baba i mirë, sikur të ishin fëmijët e vet. Pos kësaj, u dëshmua si drejtues i shkëlqyer i pronës së vet ashtu edhe të gjyshe Sumbës, që përbëhej kryesisht nga toka djerrë dhe e lënë pas dore, për shkak se kapiten Noli, sa ishte gjallë, të shumtën e kohës ndodhej në fushatat e tij. Ai bëri që çdo arë të jepte aq sa s’mundej më. Së shpejti, në sajë të pasurisë dhe të aftësisë, u bë kryepar i pakontestueshëm i Ibrik-Tepesë. I martoi të tria thjeshtrat me bujq të vyeshëm dhe zgjodhi një nuse të mrekullueshme për thjeshtrin e tij, Stilian Nolin, Maria Gollaçin, vashën më të fortë dhe më të vyeshme të fshatit. Gjysh Mitrushi i kishte në zemër edhe fëmijët e thjeshtrave, si të ishin nipërit e mbesat e tij. Edhe fëmijët, nga ana e tyre, e donin shumë, ngaqë të gjithë fëmijët Noli, pos më të voglit, qenë rritur në shtëpinë e tij. Edhe lidhja e fëmijëve Noli ndaj birit të gjymtë të gjysh Mitrushit, ishte më se e përzemërt. Meqë nuk u martua kurrë dhe nuk pati familje të vetën, ai ishte si një vëlla i madh i mirë për të birin e gjyshe Sumbës, Stilianin dhe tri bijat e saj. Më vonë, u bë një xhaxha i dashur i fëmijëve të Stilian Nolit, të cilët e quanin “xhaxha Tasi”. E tëra i ngjante një familjeje të lumtur.
VITET E HERSHME
Fan Noli ishte i dyti prej trembëdhjetë fëmijëve, pesë djemve e tetë çupave, që i lindën Stilian Nolit dhe Maria Gollaçit, që të dy nga një familje e mirë fshatare shqiptare. Shtatë prej këtyre fëmijëve, vdiqën që në vegjëli, ngaqë vdekshmëria e foshnjave ishte e tmerrshme në atë kohë në Turqi.
Atë e rriti gjyshe Sumba Noli, e vetmja nga familja që rrinte në shtëpi, kur të gjithë të tjerët punonin në ara. Si fëmijë, ishte shumë shëndetlig dhe gati të vdesë nga
35
sëmundje të ndryshme, sidomos nga tifoja, lija dhe ethet e kohëpaskohshme që shkretonin fshatin e tij.
Në një rast, atë e morën për të vdekur. Sipas zakonit, dhjaku i kishës i këndoi lutje për një gjysmë ore, duke pritur të vinte prifti për të bërë funeralin. Pak çaste pasi kishte arritur prifti, nënë Maria vërejti se fëmija po mundohej me vështirësi për t’i hapur sytë. Ajo i klithi priftit: “Ndaluni! Djali s’ka vdekur!”
Qe mrekulli që fëmija nuk u varros i gjallë. Një gabim trashanik mund të ndodhë lehtë. Në fshat nuk kishte mjek. Qyteti më i afërt ku kishte mjek, ndodhej tri orë rrugë larg, kur bënte kohë e mirë. Kjo rrugë nuk mund të bëhej kur binte borë ose shi. Madje, kjo ngjarje ndodhi në një dimër shumë të ashpër.
Gjyshe Sumba përkujdesej si një mjeke gjatë sëmundjeve të ndryshme nga të cilat vuante djaloshi paprerë derisa mbushi tetë vjet. Gjyshja babaxhane, si një nënë e palodhshme dhe e dashur, nuk dinte shumë nga përkujdesja për fëmijët. Por ajo dinte aq sa t’ia lidhte duart djalit pas shpine në mënyrë që ky të mos mund t’i kruante njollat gudulisëse të lisë në fytyrë dhe t’i pezmatonte edhe më keq. Pasi mbushi tetë vjet, shëndeti i çilimiut zuri të përmirësohej dalngadalë.
SHKOLLA FILLORE GREKE
Kur Fan Noli mbushi tetë vjet, familja mbajti një këshillim për të vendosur se ç’do të bënin me të. Dukej qartë se ai ishte tepër shëndetlig për t’u marrë me punët e rënda të bujqësisë. Prandaj, u vendos njëzëri që ta dërgonin në shkollë, pasi s’ishte i zot për asgjë tjetër.
Por djaloshi nuk donte të shkonte. Ai kishte arsyet e veta. Mësuesi i shkollës mendonte se kush e kursen shufrën, llaston fëmijën. Ai i rrihte fëmijët me aq egërsi, saqë e tërë qyteza gjëmonte nga britmat e fajtorëve të ndëshkuar. Mirëpo, ky argument nuk u mor parasysh nga këshilli familjar.
Nga gjyshja Sumba u kërkua që të bindte fëmijën të shkonte në shkollë, pasi asaj i shkonte fjala më shumë se cilitdo prej anëtarëve të tjerë të familjes. Ajo nuk pranoi ta bënte këtë. Ajo nuk kishte besim tek arsimimi, aq më pak në arsimimin brutal që jepte mësuesi i shkollës vendore.
Pastaj shorti i ra nënës Marie. Ajo përdori çdo fjalë të ëmbël që i ra ndërmend për ta bindur, por kjo nuk bëri aspak punë. Djali ishte i patundur. Ai as që donte të dëgjonte të shkonte në shkollë. Mbeti vetëm një zgjidhje, dhe atë e sendërtoi nëna Marie. Ajo e futi në thes fëmijën që bërtiste dhe hidhte shqelma, e hodhi pas shpine dhe ia mësyu për në shkollë.
36
Mësuesi, kur dëgjoi klithmat e djalit, nxitoi te dera për të parë se ç’po ndodhte. Nëna Marie i tha: “Ja, im bir. Por, të mos e rrahësh, sepse s’mund ta sjell në thes për çdo ditë”. Mësuesi i premtoi se do të sillej mirë me të. Por çuni nuk besonte se mësuesi do ta mbante fjalën. Ai i tha se do të rrinte në shkollë vetëm me një kusht: që të qëndronte edhe nëna Marie dhe ta mbronte nga mësuesi. Ajo u pajtua të vepronte kështu ditën e parë të shkollës.
Pastaj vocërraku la të qarit dhe zuri një vend me djemtë e tjerë. Po mësimet që jepte mësuesi, të cilat ishin në greqisht, qenë barrë e rëndë për nënën Marie, e cila fliste vetëm shqip dhe nuk kuptonte asnjë fjalë greqisht. Atë shpejt e zuri gjumi, pasi ishte molisur nga mundimi i gjatë për ta zënë vocërrakun dhe për ta sjellë me pahir në shkollë.
Kur vocërraku vërejti t’ëmën tek flinte, i erdhi keq për të, iu afrua, e zgjoi nga gjumi dhe i tha: “Tani, nëno, më mirë e ke të shkosh në shtëpi. Unë mund të rri edhe pa ty”. Ç’është e vërteta, djaloshi nuk kishte nevojë për askënd që ta mbronte nga mësuesi, i cili, fundi i fundit, ndëshkonte vetëm ata që nuk i kryenin detyrat. Fan Noli u dëshmua si nxënës i mirë, i cili i kreu të gjitha detyrat e veta gjatë tërë jetës.
Kështu filloi Fan Noli shkollimin e vet në shkollën greke. Të themi kalimthi, shkollat shqipe ishin të ndaluara nga qeveria turke ashtu si dhe nga Patriarkana e Kostandinopojës, e cila drejtonte të gjitha shkollat ortodokse në Perandorinë Turke. Ai e kreu këtë shkollë për katër vjet, në vend të gjashtë. Pasi nuk kishte klasë të shtatë në Ibrik-Tepe, Fan Nolin e dërguan në qytezën e afërme të Keshanit, që të kryente shkollën plotore. Ai qe gjithmonë i pari i klasës.
STILIAN GJERGJ NOLI
Nja një vit para se Fan Nolin ta dërgonin në Keshan për të mbaruar shkollën plotore, i ati, Stilian Gjergj Noli, ngriti padinë kundër njerkut të tij, gjysh Mitrushit, rreth pasurisë që i la i ati, Nol kapedani. Gjysh Mitrushi kurrë nuk i vuri në dyshim të drejtat e Stilian Gjergj Nolit mbi trashëgiminë e të atit, por kërkonte njëfarë shpagimi për shndërrimin e një toke djerrë të Nol kapedanit në një tokë buke pjellore. As që mund të bëhej fjalë që mundi t’i shpaguhej me të holla, meqë asnjë bujk në fshat, sado i kamur, nuk kishte parà në dorë.
Një këshill ndërmjetësimi që përbëhej nga miq të ndërsjelltë propozoi që zgjidhja më e drejtë e kësaj çështjeje do të ishte sikur dy të tretat e tokës t’i jepeshin Stilian Nolit dhe një e treta tjetër gjysh Mitrushit. Ata ishin të mendjes se lumi bënte një kufi natyral duke lënë një të tretën e tokës më një anë dhe dy të tretat në anën tjetër. Gjysh Mitrushi qe i gatshëm që ta pranonte këtë zgjidhje si fjalë e fundit. Por Stilian Gjergj Noli kundërshtoi dhe e ngriti çështjen në gjyq. Fundja, ai mund ta vërtetonte të drejtën e vet ligjore ndaj pronës me tapitë që ia kishte ruajtur gjyshe Sumba.
37
Çdokush mendonte se Stilian Noli nuk bëri punë me mend. Dukej sheshazi se e treta pjesë e pronës së tij, për të cilën luftonte nuk e shpaguante mundin dhe shpenzimet që barte. E shoqja, Maria, dhe i biri më i madh, Dhimitri, ishin të mendimit se ata kishin më shumë tokë nga sa mund të punonin edhe pa atë të tretën pjesë dhe se ishte budallallëk të shpenzohej për të, qoftë një metelik. Gjyshe Sumba s’ia mbante pajën asnjerit, ngaqë nuk donte ta prekte të birin e vetëm, por ishte e qartë se ajo ishte e një mendimi me të renë Marien dhe të nipin Dhimitrin. Disa vëzhgues smirëzi shpallnin me të madhe se Stilian Noli humbte kot kohën në gjyq që të mos punonte në fushë. Ata shtonin se dhe atëherë kur nuk ishte i zënë me punë me gjyqtarët dhe gjyqet, e kalonte kohën në gjueti pyjeve, ose duke pirë nëpër kafene. Të tjerët, që e njihnin më mirë, pohonin se e tërë kjo ishte një luftë për kryeparësi ndërmjet Stilian Nolit dhe gjysh Mitrushit.
Sido që të jetë, Stilian Noli i vazhdonte përpjekjet me ngulm që ta merrte tërë pasurinë. Pas disa vjetësh ndërgjyqësie, gjyqi turk i dha të drejtë Stilian Nolit. Fatkeqësisht, në Turqinë e asaj kohe vendimi i gjyqit nuk do të thoshte posedimi i atypëratyshëm i pronës së kontestuar. Çështja iu dha një gjyqtari, i cili duhej të bartte pasurinë në emër të Stilian Nolit, por gjyqtari kurrë nuk e zbatoi vendimin e gjyqit.
NDËRGJYQËSIA
Ndërgjyqësia e zgjatur e shkatërroi fare Stilian Nolin. Ai shpenzoi sasi të mëdha parash dhe nuk fitoi asgjë. Për çdo ditë tregu, ai dërgonte plot e përplot shinikë me grurë, plot e përplot drithëra, grumbuj pjeprash e shalqinjsh për t’i shitur me çmime fare të ulëta, pothuaj qesharake, që të bënte parà për të paguar avokatin. Herë-herë i duhej të shkonte në Uzun-Kepry të këshillohej me avokatët ose të merrte pjesë në seancat e gjyqit, gjë që kërkonte shpenzime të tjera. Pas shtatë vjet ndërgjyqësie, ai më në fund e kishte të qartë se e kishte humbur padinë. Për të kjo do të thoshte se e kishte humbur betejën më të madhe të jetës së tij, atë të garës për kryeparësi. Ai mendonte se nuk kishte përmbushur atë që pritej prej tij, si bir i atit të tij, Nol kapedanit heroik. Që atëherë, ai qe njeri i dërrmuar dhe kërkonte prehje te shishja, gjë që ia bëri punët edhe më keq.
GJERD KAPEDANI
Pëshpëritej nëpër fshat se njeriu që e kishte shtyrë Stilian Nolin të hapte padinë e tij gjyqësore, ishte Sulo (shkurt për Sulejman) Gjerd kapedani, edhe ai me ambicie të pasendërtuara. Gjerd kapedani kishte shërbyer në njësitë e komanduara nga Nol kapedani dhe e zëvendësoi atë kur ai u vra.
38
Stilian Nolit ia kishte ënda të dëgjonte me orë të tëra kujtimet e pafundme të Gjerd kapedanit. E kishte bërë zakon që me vete ta merrte Theofanin e vogël, ose shkurtimisht Fanin, sepse kishte dëshirë që i biri të mësonte nga një dëshmitar i gjallë se ç’prijës i madh ishte Nol kapedani, Stilian Noli dhe Gjerd kapedani pinin së tepërmi raki, ndërsa Gjerdi rrëfente tregime nga më rrëqethëset, që u ngjanin atyre të Perëndimit të egër. Në ato tregime, ai dhe Nol kapedani, para armiqve të panumërt, ia dilnin gjithmonë me sukses të shpërthenin rrethin.
Ai kishte dëshirë posaçërisht të përshkruante përjetimet e veta në Luftën Ruso- Turke, të viteve 1876-1878. Ishte i bindur se kështjella turke e Plevnës, në Bullgari, nuk do të kishte rënë, po të kishte qenë në komandë ai, Gjerd kapedani. Për fat të keq, Osman Pashaj ishte komandant dhe ai ua dorëzoi kalanë rusëve.
Pas rënies së Plevnës, Gjerd kapedani u zu rob nga rusët dhe u dërgua në Shën Peterburg. Të dielën e parë pas arritjes, Gjerd kapedani dhe vullnetarët e tij shqiptarë shfaqën dëshirën për të shkuar në kishë. Gjerda iu lut oficerit rus, i cili ishte i ngarkuar me kampin e të burgosurve, duke kërkuar nga ai t’i lejonte të shkonin në kapelën ose në kishën më të afërme. Oficeri rus mbeti pa gojë. “Ti, turk mysliman, dëshiron të shkosh në kishën ortodokse!” Gjerda iu përgjigj: “Unë jam ortodoks”. Dhe bëri kryq për ta dëshmuar këtë. Oficeri vërejti se Gjerda bëri kryq në mënyrën e duhur ortodokse dhe e pyeti: “Si u bë që ti, i krishteri ortodoks, u bëre vullnetar për të luftuar në anën e turqve myslimanë kundër rusëve ortodoksë?” Gjerd kapedani ia ktheu pa u hamenduar: “Feja është fe dhe profesioni është profesion”.
Oficeri rus nuk mund të kuptonte dot, por ai vendosi t’u ndihmonte si vëllezërve të tij ortodoksë dhe u dha leje menjëherë të shkonin në kishë. Atje Gjerda me djemtë e tij shqiptarë dëgjuan për herë të parë muzikën kishtare ruse dhe ata u mahnitën nga bukuria e saj dinamike. Kjo ngjarje pati pasoja të tmerrshme për Gjerd kapedanin. Qeveria ruse mori një qëndrim shumë serioz ndaj këtij incidenti dhe vendosi, në interes të të krishterëve ortodoksë të Turqisë që kjo të mos ndodhte prapë. Prandaj, në Traktatin e paqes së Shën Stefanit, që i dha fund Luftës Ruso-Turke, u fut një klauzolë, e cila ua ndalonte në mënyrë të prerë turqve që t’i merrnin me zor të krishterët ortodoksë në radhët e ushtrisë, ose t’i rekrutonin ata si vullnetarë.
Kjo do të thoshte fundi i karrierës së Gjerdës si kapiten i vullnetarëve të krishterë në ushtrinë turke. Atëherë deshi t’ia rrëmbente kryeparësinë e fshatit gjysh Mitrushit. Kjo nuk bëri punë. Kjo nuk do të ndodhte përderisa gjysh Mitrushi dhe Stilian Noli ishin të bashkuar. Prandaj ai tentoi të fusë një pykë në mes tyre. Ia arriti kësaj pasi bindi Stilian Nolin që të ngrinte padinë. Ai i njihte shumë mirë ambiciet e Stilian Nolit për kryeparësi. Madje, ai preferonte të kishte kryepar Stilian Nolin më parë se Mitrushin. Për të, Mitrushi ishte një mburravec, kurse Stilian Noli ishte i biri i një kapiteni, të cilin ky e kishte adhuruar dhe nën komandën e të cilit kishte shërbyer për shumë vjet. Gjerd kapedanit as që i kishte shkuar mendja ndonjëherë të punonte tokën e të harronte lavdinë ushtarake të së kaluarës së vet. Si ai, ashtu dhe Stilian Noli, kishin mundur të bëheshin bujq të vyeshëm e të suksesshëm. Por që të dy pajtoheshin se perëndia i kishte krijuar për vepra më të larta e më fisnike. Po këto qëllime të larta
39
ua humbnin kohën tërë natën duke pirë. Natyrisht, pija sipas tyre ishte diçka që vinte vetvetiu.
SI FILLOI KOKËÇARJA
Nëse Gjerd kapedani ishte miku i tij më i mirë, si u bë që Stilian Noli nuk u bashkua me njësitë e tij të vullnetarëve? Ky do të ishte një rast i mirë për Stilianin të pushtonte Shën Peterburgun për sulltanin dhe të bëhej hero si i ati, Nol kapedani. Kjo ishte pikërisht ajo që donte të bënte Stiliani. Ai ishte bërë gati me vite të tëra për një ekspeditë të tillë të lavdishme ushtarake. Prandaj e kishte mësuar turqishten aq mirë. Ai pandehte se do t’i duhej kjo gjuhë për komandimet turqisht, në të ardhmen. Ky ishte shkaku që u bë shenjëtari më i mirë i fshatit. Në të vërtetë, shtëpia e tij ishte e mbushur me armë dhe e kalonte kohën në gjueti nëpër pyje për ta përkryer zanatin e