7. MATRIZ DE INDICADORES PARA RESULTADOS (MIR - 2014)
7.1 Indicadores
marrëveshjes. Raste të tilla përmendim Marrëveshjen e Paqes së Frankfurtit (1871), Traktatit e Versajës (1919), etj.
Garancia – është mjet i shpeshtë për sigurimin e plotësimit të marrëveshjes, përmes së cilës, një ose disa shtete apo Organizata Ndërkombëtare premtojnë se do të veprojnë pavarësisht, që palët kontraktuese t’i plotësojnë detyrimet e veta. Rastet më të shpeshta të garantimit kanë të bëjnë me: a) ruajtjen e një gjendje të caktuar (p.sh garantimi i neutralitetit të Zvicrës); b) me sendërtimin e ndonjë veprimi konkret (p.sh. kur një shtet i tretë premton se do ti shlyej detyrimet e shtetit që është në vonesë). Këtu hyjnë edhe masat e dhunshme që mund t’i marr ndonjë organizatë ndërkombëtare për t’i detyruar shtetet që ti plotësojnë detyrimet e tyre.
***Veprimi i Traktateve ndaj Palëve Kontraktuese. Një ndër rregullat më të vjetra të së drejtës së traktateve thotë se marrëveshjet shkaktoj efekte për palët kontraktuese. Marrëveshje e tilla i detyrojnë në radhë të parë shtetet, apo edhe subjekte brenda shtetërore, që të realizojnë detyrimet e marra me traktat. Marrëveshjet ndërkombëtare mbesin në fuqi pa marrë parasysh ndërrimet që mund të bëhen në një shtet, siç është ndërrimi i shefit të shtetit, shefit të qeverisë, ministrit të punëve të jashtme apo edhe tërë rendit shoqëror. Kjo rregull vlen derisa të ekzistojë subjekti ndërkombëtarë. Përjashtim nga kjo bëjnë vetëm ato traktate, realizimi i të cilave nënkupton formën e caktuar të qeverisjes, p.sh. marrëveshja midis dy shteteve për mbrojtjen e monarkive bëhet e paqëndrueshme nëse në njërin prej tyre monarkia zëvendësohet me republikë.
***Veprimi i Traktateve në Shtetet tjera. Sipas rregullave të përgjithshme, traktatet u referohen vetëm palëve kontraktuese. Kjo është shprehje e parimit “pacta tertis nec prosunt”. Megjithatë ekzistojnë disa përjashtime kur traktatet mund të shkaktojnë efekte edhe në shtetet e treta.
a)- shtete të treta që përfitojnë – një shtet i tretë mund të përfitoj të drejta nga një traktat po që se palët kontraktuese kanë pasur për qëllim një gjë të tillë. Ekzistojnë mendime të ndryshme kur bëhet fjalë për formën e saktë në të cilën fitohen këto të drejta. Një grup autorësh thonë se vetë traktati mund t’u jap të drejta shteteve të treta. Një grup tjetër, mohon ekzistimin e çfarëdo të drejte përderisa shteti i tretë të mos i ketë pranuar ato. Një shtet i tretë mund të pajtohet shprehimisht ose heshtazi me traktatin i cili krijon të drejta jo vetëm për palët kontraktuese, por edhe për shtetet e treta. Lidhur me këtë, Konventa e Vjenës parasheh plotësimin e dy kushteve qenësore: a) dëshirën
e palëve që të krijojnë të drejtën e tillë; b) pranimit nga ana e shfrytëzuesit të ofertës. Për shembull, Marrëveshja Hay-Varilla (1903) midis ShBA-së dhe Panamasë parasheh që kanali i Panamasë do të jetë i hapur për anijet tregtare dhe luftanijet e të gjitha shteteve, edhe pse palë kontraktuese kanë qenë vetëm ShBA-të, Panamaja dhe Britania e Madhe.
b)- shtetet e treta dhe detyrimet e imponuara me traktate – një ndër rregullat e barazisë sovrane të shteteve është se traktatet nuk mund t’iu imponojnë detyrime shteteve të cilat nuk janë palë kontraktuese. Sipas Konventës së Vjenës, për krijimin e detyrimeve për një shtet të tretë duhet plotësuar dy kushte: a) palët kontraktuese të kenë qëllim që dispozitat e traktatit të shërbejnë si bazë për krijimin e detyrimeve edhe për shtetin e tretë; b) që shteti i tretë t’i pranoj detyrimet e tilla shprehimisht dhe në formë të shkruar. Në këtë rast vjen deri te marrëveshja e re midis palëve kontraktuese dhe shtetit të tretë. Marrëveshja e tillë pastaj, mund të marr fund apo ndryshohet vetëm me pajtimin e të gjitha palëve kontraktuese.
***Interpretimi i Traktateve Ndërkombëtare. Interpretimi do të thotë gjetja e kuptimit të saktë të normës/traktatit, mbi të cilën është arritur marrëveshja në mënyrë që të eliminohen paqartësitë apo dykuptimësitë. Nevoja e interpretimit të traktateve shtrohet për shkak se ndonjëherë palët kontraktuese nuk pajtohen me përmbajtjen e dispozitave të traktatit dhe detyrimeve që dalin nga ato. Kjo për shkak se shumë fjalë kanë më shumë se një kuptim, kurse kuptimi i tyre mund edhe të ndryshoj me kalimin e kohës. Megjithatë, ndodhë që ndonjëherë përkundër kuptimit të qartë që ka teksti, ndonjëra palë përpiqet që traktati të ketë kuptim të atillë që t’i përgjigjet interesave të saj.
***Subjektet e Interpretimit. Interpretimin e traktateve ndërkombëtare mund ta bëjnë autorët-interpretimi doktrinar; secili shtet për vete-interpretimi zyrtar i brendshëm; apo të gjitha palët bashkërisht-interpretimi zyrtar ndërkombëtarë.
a)- interpretimi doktrinar s’është interpretim i detyrueshëm, megjithatë mund të ndikoj tërthorazi në interpretimin zyrtar në atë masë që doktrina ndikon në praktikën e shteteve.
b)- interpretimi zyrtar i brendshëm është ai që e bëjnë organet e caktuara ligjdhënëse, administrative apo gjyqësore të një shteti. Ky lloj interpretimi nuk i detyron palët tjera kontraktuese, por vetëm shërben si dëshmi se si një shtet i kupton rregullat e një traktati apo traktatin në përgjithësi.
c)- interpretimi zyrtar ndërkombëtarë është interpretimi më i rëndësishëm. Ai ka karakter detyrues për palët. Atë mund ta bëjnë personat që kanë marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe gjykatat ndërkombëtare, qofshin ato të arbitrazhit qoftë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
***Rregullat e Interpretimit. E drejta ndërkombëtare nuk ka rregulla precize lidhur me interpretimin e traktateve. Groci dhe autorë të tjera kanë zbatuar rregullat e së “drejtës romake”. Ekzistojnë 13 rregulla kryesore të interpretimit të traktateve: 1) nuk ka pse të interpretohet ajo që s’ka nevojë për interpretim, nëse teksti është i pastër dhe me kuptim natyror; 2) pikë fillestare në interpretim është që të vërtetohet vullneti i palëve, meqenëse traktatet janë të lidhura mbi parimin “bona fidei”; 3) nëse teksti i traktatit është i qartë dhe i sigurt, lejohet largimi nga ai vetëm nëse teksti që interpretohet jep përfundime absurde; 4) termat e përdorura në marrëveshje duhet të interpretohen në pajtimin që kanë në gjuhën e përditshme e jo në kuptimin e caktuar teknik ose ndonjë kuptim tjetër; 5) në rast dyshimi rreth kuptimit të ndonjë dispozite, duhet marrë në konsideratë tërë tekstin e traktatit dhe jo vetëm një shprehje; 6) të gjitha traktatet duhet të interpretohen në pajtim me arsyen e tyre dhe ndryshe nga kuptimi i tyre literal; 7) duhet konsideruar si gjë e sigurt se palët kontraktuese kanë dashur diçka të arsyeshme e jo ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare; 8) duhet konsideruar se çdo pjesë e traktatit dhe i tërë traktati kanë një kuptim dhe një qëllim; 9) gjatë interpretimit, në rast të paqartësisë rreth kuptimit të ndonjë termi duhet të preferohet ajo që është më pak e rëndë për palën që merr detyrime. Kufizimet që i imponohen lirisë së një shteti ose sovranitetit duhen të interpretohen në mënyrë restriktive; 10) nëse dispozita ka dy kuptime të pranueshme të tekstit të traktatit, atëherë duhet të preferohet ai që e ka ditur pala e cila e ka bërë propozimin në atë kohë; 11) marrëveshjet e mëparshme midis palëve të njëjta, apo midis njërës palë dhe palëve të treta, duhen të merren parasysh për qëllim të sqarimit të dispozitave; 12) në marrëveshjet shumëgjuhëshe, interpretimi i së cilës duhet të jetë në pajtim me të tjerat, por nëse ka kundërthënie atëherë duhet të merret teksti origjinal ose gjuha kryesore; 13) në rast dyshimi mund të shfrytëzohen edhe punët përgatitore për konventë, rrethanat nën të cilat është lidhur, motivet që kanë nxitur lidhjet e traktatit, etj.
***Metodat e Interpretimit. Në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë disa rregulla të interpretimit të traktateve. Në literaturë përmenden metoda e interpretimit literal, sistematik, logjik, historik, etj.
a)- interpretimi literal nënkupton nxjerrjen e kuptimit të fjalëve të izoluara dhe shpjegimin sintaksor të lidhjes midis fjalëve
b)- interpretimi sistematik zbatohet në rastet kur zbatimi i metodës së parë nuk i përgjigjet kuptimit në kontekst më të gjerë të paragrafëve, të neneve dhe të traktatit në përgjithësi.
c)- interpretimi logjik mbështetet mbi rregullat e përgjithshme të logjikës dhe të mendjes së shëndoshë. Ky interpretim ka për qëllim eliminimin e kundërthënieve duke zbatuar atë që është e qartë dhe që ka përfundim logjik.
d)- interpretimi historik përdoret në rastet kur kuptimi i një traktati nuk mund të nxirret nga përmbajtja e tij. Në këtë rast teksti i paqartë sqarohet duke marrë parasysh punët përgatitore, motivet që kanë shpënë deri te lidhja e traktatit, etj.
Në praktikë mund të imponohet përdorimi i njërës apo tjetrës metodë, apo përdorimi paralel i më shumë metodave.
***Mbarimi i Veprimit të Traktateve. Konventa e Vjenës parasheh që “çdo traktat që është në fuqi i detyron palët kontraktuese dhe këto duhet ta plotësojnë me mirëbesim”. Nga kjo del qartë se asnjë shtet nuk mund të lirohet nga detyrimet kontraktuese në çfarëdo momenti. Konventa ka paraparë që: “Mbarimi i marrëveshjes, denoncimi i saj apo tërheqja e njërës palë kontraktuese mund të bëhet vetëm në bazë të zbatimit të rregullave kontraktuese ose të kësaj Konvente. Po e njëjta rregull vlen për ndërprerjen e zbatimit të një traktati”. E drejta ndërkombëtare njeh disa mënyra të mbarimit të veprimit të traktateve: me kalimin e afatit të traktatit; me plotësimin e qëllimit të traktatit; me marrëveshje të palëve kontraktuese; me lidhjen e marrëveshjeve të reja që zhvleftësojnë marrëveshjen e mëparshme; zhdukja e njërës palë si subjekt kontraktues, etj.
a)- mbarimi i veprimit të traktatit me kalimin e afatit – të gjitha marrëveshjet që janë lidhur për një periudhë të caktuar, mbarojnë se vepruari me kalimin e asaj periudhe, përveç kur përtërihen për një afat të mëtejmë. Me kalimin e afatit, marrëveshja automatikisht pushon të vlejë dhe s’është e nevojshme që palët të njoftojnë njëra- tjetrën.
b)- plotësimi i qëllimit të traktatit – kur traktati ka për lëndë arritjen e ndonjë qëllimi, atëherë posa të plotësohet qëllimi, marrëveshja mbaron së vepruari. Shembull, marrëveshja për ndërtimin e një ure mbi lumin kufitar mbaron së vepruari posa të kryhen detyrimet e parapara në të.
c)- pamundësia që të plotësohet marrëveshja – është një ndër arsyet e mbarimit së vepruari të traktateve. Kjo mund të ndodhë si rezultat i veprimit të forcave madhore, etj.
Në rastet kur pamundësia e plotësimit të traktateve është e karakterit të përkohshëm atëherë marrëveshja vetëm suspendohet për një kohë të pacaktuar. Konventa e Vjenës parasheh që pamundësia e plotësimit të traktateve vlen vetëm nëse është e karakterit të përhershëm, p.sh. marrëveshja që ka për lëndë shfrytëzimin e ujërave të një lumi për ujitje është e pamundshme të plotësohet nëse lumi shteret.
d)- denoncimi – është heqje dorë e një shteti nga traktati ndërkombëtarë. Shumë traktate parashohin shprehimisht mundësinë e tërheqjes së njëanshme nga traktati, pas njoftimit nga njëra palë kontraktuese. Traktate të tilla përmbajnë rregulla të cilat përcaktojnë modalitetet që duhet plotësuar njoftimi për tërheqje nga traktati. Është e diskutueshme se a mund të jenë objekt denoncimi ato traktate të cilat nuk e kanë paraparë këtë shprehimisht. Traktatet e tilla nuk mund të denoncohen pa pajtimin e palëve tjera kontraktuese. Përjashtim bëjnë traktatet që nuk mund të denoncohen me njoftim: traktatet e paqes, traktatet mbi kufijtë mund të shuhen vetëm me pajtim të dyanshëm. Gjithashtu nuk mund të denoncohen traktatet që lidhen me afat të caktuar para se të kaloj afati i paraparë, traktatet që lidhen për kryerjen e ndonjë pune të caktuar, para se të përmbushen detyrimet që dalin nga traktati.
Për traktatet dypalëshe, njoftimi për denoncim i bëhet palës tjetër. Ndërsa për traktate shumëpalëshe, njoftimet i drejtohen shteti depozitar e ky i informon palët tjera kontraktuese. Traktati i tillë mbaron së vepruari vetëm ndaj palës e cila e ka bërë denoncimin. Sipas Konventës së Vjenës, marrëveshja e cila nuk parasheh rregulla për mbarimin e saj dhe nuk parasheh mundësinë e denoncimit apo tërheqjes, nuk mund të jetë objekt i denoncimit apo i tërheqjes përveç nëse vërtetohet se palët kontraktuese kanë pasur qëllim të lejojnë mundësinë e tërheqjes. Në këso rastesh njoftimi duhet bërë 12 muaj më parë.
***Marrëveshja e Re Midis Palëve të Njëjta Kontraltuese. Marrëveshja e re midis palëve të njëjta kontraktuese (mutuus dissensus) mund të sjellë në çdo rast ndryshimin ose ndërprerjen e vlerës së ndonjë marrëveshjeje. Kjo është pasojë e logjikshme e së drejtës, e cila u bënë të mundur atyre që kanë lidhur një marrëveshje, të mund edhe t’i japin fund në çdo kohë me marrëveshje të re. Marrëveshja e tillë mund ta ndërpresë, ndryshojë ose zëvendësojë marrëveshjen e mëparshme. Marrëveshja e re nuk është e domosdoshme të lidhet në formën e caktuar, mjafton vetëm shkëmbimi i notave.
***Mbarimi i Veprimit të një Traktati si rezultat i Shkeljes së tij. Në traktatet dypalëshe, Konventa e Vjenës i jep të drejtë një shteti që të mbarojë zbatimin e traktatit në përgjithësi apo pjesërisht, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuese
nga ana e palës tjetër. Kjo e drejtë i takon një shteti vetëm kur është fjala për shkelje të rëndë të traktatit. Shkelja vetëm e ndonjë pjese të traktatit jep të drejtë që vetëm në atë pjesë të zbatohet rregulla e lartpërmendur.
Kur është fjala për shkeljen e traktateve shumëpalëshe, Konventa e Vjenës: a) u jep palëve të drejtën të suspendojnë zbatimin e plotë ose të përgjithshëm të traktatit, qoftë midis tyre dhe shtetit që e ka bërë cenimin qoftë në përgjithësi; b) i jep të drejtë palës së dëmtuar të suspendoj zbatimin e traktatit qoftë pjesërisht apo në përgjithësi; c) i jep të drejtë secilës palë, pos palës që e ka bërë cenimin, që të vë në dukje shkeljen si arsye për suspendimin e zbatimit të traktatit në tërësi ose pjesërisht.
***Ndikimi i Luftës në Traktatet Ndërkombëtare. Fillimi i luftës midis dy shteteve shkakton pasoja të ndryshme në traktate. Disa traktate që janë të papajtueshme me gjendjen e luftës, mbarojnë së vepruari. Të tilla janë traktatet për miqësi, aleancë, mossulmim, ndihmë reciproke, etj. Me fillimin e luftës, këto traktate mbarojnë së vepruari.
Një grup tjetër traktatesh mbeten në fuqi edhe pas mbarimit të luftës por zbatimi i tyre vetëm pezullohet gjatë periudhës së luftës. Këtu bëjnë pjesë të gjitha traktatet ligje dhe aktivizohen me rivendosjen e paqes.
Grupin e tretë e përbëjnë traktatet të cilat kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare të luftës dhe rregullojnë marrëdhëniet e shteteve gjatë luftës, si p.sh. Konventa e Hagës, Konventat e Gjenevës, etj., të cilat fillojnë të veprojnë me fillimin e luftës.