Për shkak të pasojave shumë të dëmshme që shkakton te individi,
alkoolizmi sot trajtohet si problem shoqëror. U desh të kalojnë shekuj të tërë për t’u kuptuar se alkoolizmi nuk është „dobësi morale“ e as „veti e keqe“, por sëmundje serioze psikiatrike e sociale. Edhe kërkimet më të reja në lidhje me alkoolin, nuk kanë rezultuar në nivelin e dëshiruar. Alkoolizmi edhe më tej mbetet sëmundje e pashërueshme, edhe pse ndërpreja e konsumimit të tij për një kohë të
caktuar është arritur me anë të terapive të ndryshme si dhe medikamenteve farmaceutike, por, pas ndërprerjes së terapisë ose barnave, edhe pas disa vitesh, kontakti i sërishëm i pacientit me alkoolin, rringjall simptomet e mëhershme dhe sëmundja prapë riaktivizohet. Mënyra më e mirë deri më sot, për çrrënjosjën definitive të kësaj dukurie të dëmshme, si për individin ashtu edhe për shoqërinë, konsiderohet hipnoza.
Përparësia e metodës hipnotike për shërimin e të sëmurëve nga alkooli qëndron edhe në atë, se pacienti nuk ka nevojë të shtrihet me javë e muaj nëpër klinikat e ndryshme, por procedura mund të zhvillohet edhe në shtëpinë e tij, duke i mundësuar atij aktivitet normal e pa presion në rrjedhat e jetës së zakonshme. Por një kusht është mëse i domosdoshëm: ai duhet patjetër të ketë dëshirë dhe vullnet të fortë të shërohet, të shkëputet nga ai përfundimisht nga alkooli. Po t’i anketojmë alkoolistët e
vërtetë, do të vërejmë se të pakët janë ata që me të vërtetë e dëshirojnë atë. Por, nga konsumimi i gjatë, edhe pse në fillim sporadik, ata janë bërë pre e alkoolit, duke u varësuar prej tij. Kështu alkooli kalon në shprehi dhe bëhet nevojë e
domosdoshme për të alkoolizuarin, ku ai, nëpërmjet tij (në gjendje të dehur), mundohet të gjejë mbështetje për shuarjen e problemeve të ndryshme që e mundojnë. Duke gjetur një zgjidhje të „përshtatshme“ për një kohë të caktuar, ai edhe ndien kënaqësi gjatë konsumimit të tij, derisa një ditë kalon në alkoolist kronik...
Pasi që alkoolikët janë gati gjithnjë në gjendje të dehur, ndieshmëria dhe sugjestibiliteti i tyre është shumë i madh, kështu që janë edhe shumë të përshtatshëm për t’u vënë nën pushtetin e gjumit hipnotik. Faktet e shumta nga mjekët hipnotizues, vërtetojnë se po që se aplikohet hipnoza në mënyrë të drejtë, mund të bëhet edhe shërimi i rasteve më të rënda.
Pasi që, siç e cekëm edhe më lartë, njerëzit (alkoolikët) e konsumojnë alkoolin dhe narkotikët zakonisht, për t’u ikur përkohësisht problemeve të cilat nuk mund t’i zgjidhin, edhe trajtimi i tyre me anë të hipnozës
kërkon kujdes më të madh. Atyre së pari (gjatë gjendjës së thellë hipnotike) duhet t‘u bëhet një test psikoanalitik, duke i kërkuar shkaqet që e kanë sjellë atë deri te konsumimi i alkoolit. Pastaj, nëpërmjet sugjestioneve përkatëse, ata duhet t’i mësojmë se si në gjendje të zgjuar të ballafaqohen me to, si probleme normale që e mundojnë çdo njeri tjetër të shoqërisë. Pra, të mësohen ta shikojnë realisht rrjedhën e procesit të jetës, me të gjitha të mirat e të këqijat e saj, pa e stresuar vetveten. Po që se arrihet kjo, atëherë edhe abstinimi nga alkooli do të procedojë me sukses.
Ndikimi i hipnozës për abstinim nga alkooli mund të zbatohet edhe pa procedurën të cilën e cekëm më lartë, por efekti i shërimit nuk do të jetë i përhershëm, pasi që, pas ballafaqimit me problemet e vjetëra dhe gjykimin e gabuar mbi to, do ta sjellin pacientin prapë në gjendjen e mëparshme dhe do ta detyrojnë që t’i rreket prapë alkoolit. Prandaj, për të pasur sukses, duhet që procesin ta zhvillojmë në mënyrë sistematike, sipas planit të përcaktuar, ku përveç suksesit edhe koha e shërimit do të zgjasë relativisht shkurt dhe sëmundja nuk do të përsëritet më.
Pasi t’i keni evituar sfidat që kanë qenë faktorë evidentë për gjendjen e pacientit, e futni atë në gjendje të thellë të gjumit hipnotik edhe i sugjeroni: „Po e ndieni veten shumë mirë, çdo gjë është me ju në rregull. Frymëmarrjen e keni të thellë dhe të qetë. Asgjë nuk po ju mundon. Ju po dëshironi ta zgjidhni problemin e alkoolit, dhe do të keni sukses. Do t’ju ndihmojë ndërdija juaj. Nga ky qëndrim nuk do të mund t‘ju ndalë askush. Nga ky moment nevoja për alkool do t’ju zvogëlohet. Nuk do të ndjeni më aq shumë nevojë për të. Dita ditës ju do të ndieni urrejtje për të. Aq shumë do të ndieni neveri ndaj tij sa që një ditë nuk do ta përdorni më. Vetëm era e alkoolit do të provokojë te ju gërdi...“
Pas disa seancave, kur t’i vëreni efektet e para pozitive, vazhdoni me thellimin e sugjestioneve: „Alkooli dita ditës, më nuk po ju intereson. Ju as që po ndieni nevojë për të, përkundrazi, mosprania e tij po ju sjell kënaqësi dhe qetësi shpirtërore e trupore. Asgjë nuk do të mund t’ju ndalë në këtë drejtim. Ju nuk po dëshironi të pini dhe as që do të pini më. Vetëm edhe mendimi për të do t’u provokojë neveri. Ky është vendim që vetë e keni marrë dhe do ta zbatoni. Ju nuk po e dëshironi
më, jo vetëm konsumimin, por as praninë e tij. Kurrë më nuk do t’ju tërheqë ai, kurrë!
Çdo ditë po e ndieni veten mirë e më mirë dhe po i gëzoheni kësaj. Jeni të lumtur që keni arritur një sukses të tillë. Më në fund, jeni të liruar nga ai armik i shëndetit dhe i xhepit. Kurrë më nuk do t’ju interesojë për të. Ju jeni i pavarur nga alkooli. Jeni i lirë.“
Të gjitha këto ia regjistroni në ndërdije, pastaj e zgjoni nga gjumi hipnotik. Terapia mund të zgjasë me muaj, prandaj për këtë duhet durim dhe punë.