Autohipnoza, që rrjedh nga fjala greke „auto“ vetë dhe „hipnozë“ gjumë, mund të zhvillohet në disa mënyra. Por, për ta lehtësuar këtë proces, është e preferuar që së paku një herë para kësaj t’i shtroheni hipnozës. Gjatë kësaj seance, hipnotizuesi i mirë ua sugjeron shifrën, të cilën ua regjistron në ndërdije ose në kasetofon, dhe sa herë që ta përsëritni atë shifër ose e dëgjoni në kasetofon, do të bieni në gjendje hipnotike, pra, në autohipnozë.
Por, nëse një mundësi e tillë nuk ju ofrohet, atëherë duhet ta ndiqni rrugën e vetëhipnotizimit, e cila është pak më e vështirë dhe kërkon më shumë kohë, por e realizueshme. Për ta arritur autohipnozën duhet, sikurse te induktimi i heterohipnozës, të krijoni atmosferë të qetë, mund të lëshoni muzikë relaksuese dhe mundësisht të krijoni gjysmerrësirë. Uluni në pozitë të përshtatshme dhe para jush vendoseni një objekt vezullues (të ndritshëm, mund të jetë edhe bateri xhepi) ose ndonjë objekt tjetër (fotografi, vizatim etj) i cili do të ndikojë në lodhjën e syve. Mund ta vëni edhe pasqyrën para vetes dhe ta fikësoni vetën në mes të syve, siç e kemi cekur te shikimi magnetik. Gjithashtu mundeni ta filloni induktimin e gjumit hipnotik edhe direkt me autosugjestione, pa fiksuar kurrfarë objekti vezullues etj., por për ta shpejtuar procesin dhe për të qenë efekti më i suksesshëm, pasi që, siç e kemi cekur më herët, drita e fortë dhe mashtrimet e ndryshme optike provokojnë lodhjen e syve dhe bie deri te gjumi, po ju preferojmë objekte të tilla. Fiksojeni objektin vezullues,
kurse në ndërkoh, në mënyrë të koncentruar dhe intensive sugjeroni vetvetes: „Po e ndiej veten shumë mirë, por shumë të lodhur. Vetëm për gjumë po mendoj - vetëm për gjumë. Kapakët e syve po më rëndohen, gjithnjë e më shumë po më rëndohen. Ata më janë bërë shumë të rëndë, si plumb të
rëndë. Aq të rëndë sa që nuk po mund t’i mbaj të hapur“. Në qoftë se e ndjeni që sytë po ju mbyllen, atëherë mbyllni, e në qoftë se jo, atëherë thelloni sugjestionet. „Po qëndroj plotësisht i relaksuar. Sytë i kam të mbyllur. Këmbët dhe duart plotësisht të lira. Jam plotësisht i qetë. Frymëmarrjen e kam të thellë dhe ritmike. Po e ndiej veten shumë këndshëm. Gjatë çdo frymëmarrjeje po zhytem thellë e më thellë në këtë qetësi të këndshme shpirtërore.“
Këtu pushoni përafërsisht një minutë. Pastaj vazhdoni duke u koncentruar nga këmbët: „Tani po koncentrohem në këmbë. Po e ndiej shumë qartë se si këmbët po më rëndohen. Ato po më bëhen gjithnjë e
më të rënda - gjithnjë e më të rënda. Këmbët i kam shumë të rënda, si plumb të rënda. Aq janë të rënda sa që unë ato nuk po mund t’i lëvizë. Tani edhe duart po më rëndohen. Po e ndiej shumë qartë se si po më rëndohen. Po më pushton një lodhje gjithnjë e më e madhe, për atë edhe po bëhen më të rënda. Edhe duart tani i kam shumë të rënda, si plumb të rënda. Aq janë të rënda sa që nuk po mund t’i lëvizë. Po e ndiej veten gjithnjë e më të lodhur - shumë shumë të lodhur.
Asgjë nuk po më pengon. Tani po e dëgjoj vetëm zërin tim dhe për asgjë tjetër nuk po më intereson - vetëm për zërin tim. Po e ndiej shumë qartë se si shkallë-shkallë po zhytem thellë-thellë në një gjendje të këndshme shpirtërore, por zërin tim po e dëgjoj. Po ndihem shumë mirë dhe jam shumë i qetë. Po i dorëzohem këtij pushteti të këndshëm, por zërin tim gjithnjë po e dëgjoj, mirë dhe qartë.
Në këtë gjendje të këndshme qetësie po hapen dyert e ndërdijes sime. Gjithçka që po flas po depërton lehtë dhe thellë në ndërijen time. Aty po regjistrohet dhe unë do të veproj sipas urdhërave të saj...“
Pastaj vazhdoni me sugjestionet e dëshiruara të cilat duhet t‘i përgatitni më herët. Pasi t‘i përfundoni sugjestionet e dëshiruara vazhdoni me sugjestionet për daljen nga gjendja autohipnotike: „...Dhe prapë po ndiej në vetvete një qetësi të këndshme. Në këtë qetësi të këndshme çdo fjalë e imja po regjistrohet thellë në ndërdije. Do t’i dëgjoj ato fjalë dhe do të veproj sipas tyre dhe do të ndihem shumë mirë. Nga dita në ditë në çdo drejtim po ndihem mirë e më mirë.
Dy objekte të ilustruara që ndikojnë në lodhjen e syve dhe provokojnë gjendjën hipnotike
Këmbët dhe duart do më jenë prapë normale, të lira të lehta dhe të lëvizshme, siç kanë qenë më parë. Do t’i hapë sytë dhe do të ndihem shumë mirë. Do të jem plotësisht i kthjellët dhe plot energji. Një,dy,tre. Po i hapi sytë. Çdo gjë me mua është në rregull.“
Sugjestionet e lartëpërmendura mund t’i regjistroni edhe në kasetofon dhe t’i dëgjoni kur të bini për të fjetur. Pasi që në atë kohë jeni edhe ashtu i lodhur dhe organizmi kërkon pushim, edhe ndikimi i sugjestioneve do të jetë më i madh dhe suksesi nuk do të mungojë. Aventurat me autohipnozë janë plotësisht të ndaluara. Meqë në atë gjendje nuk ekziston as hapësirë e as kohë, mundësitë manipulese janë të panumërta e që më së shumti dëmtojnë vetë të autohipnotizuarin, prandaj edhe autohipnoza preferohet të aplikohet vetëm me udhëzim të terapeutit. Ka raste nga literaturat e ndryshme, siç kam dhe raste nga vetë përvoja ime, kur ndividi të cilit i është dhënë autohipnoza për raste shërimi, me kalimin e kohës, e ka keqpërdorur atë duke kaluar pragun e së lejuarës. Duke u munduar t’i realizojë pasionet e brendshme, të cilat në gjendje normale nuk ka mundur t’i plotësojë, mediumi ka shfrytëzuar gjendjen autohipnotike, duke i realizur ato në „ekranin e brendshëm“ psikik dhe, natyrisht, në atë gjendje duke i përjetuar si në realitet, pas një kohe ai ka kaluar në gjendje halucinacioni, nga ku nuk ka mundur të bëjë më dallimin e realitetit nga fantazia dhe kështu është detyruar të kërkojë ndihmë në qendrën psikiatrike.
Në atë gjendje ku nuk ekziston koha e as hapësira, aty ku jemi të pafuqishëm dhe njëkohësisht të plotfuqishëm, të penguar por edhe shumë të lirë; aty ku mund të shndërrohemi në çdo formë që dëshirojmë, të gjendemi në çdo kohë të historisë; aty ku mund t’i realizojmë të gjitha pengesat e botës reale, ku mundemi edhe të fluturojmë, deri edhe në pafundësi etj. etj., duhet të kemi shumë kujdes gjatë hedhjës së hapave drejt introspeksionit shpirtëror. Pra, duhet të kemi shumë kujdes, pasi kemi të bëjmë direkt me shpirtin dhe mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Juve, lexues të nderuar, që pretendoni ta zbatoni këtë metodë në vetëvete ose edhe t’ua preferoni të tjerëve, u kisha udhëzuar që ta aplikoni metodën me anë të kasetofonit. T’i regjistroni sugjestionet induktuese, sugjestionet efektive dhe ato të daljës nga kjo gjendje në kasetë magnetofoni dhe t’i dëgjoni ato kur të shtriheni për të fjetur, ku edhe përjashtohet çdo mundësi abuzimi.
Me këtë nuk dua të krijoj panik, por dëshiroj t’u tregoj edhe anët tjera të medalonit për t’ua kompletuar në mënyrë sa më të plotë informacionet mbi autohipnozën. Pasi zbatimi i autohipnozës në sferat tjera progresive është poashtu i pakufishëm, e sidomos në mjekësi. Në pjesët e ardhshme do të bëjmë fjalë më gjërësisht rreth efektit të hipnozës, si në mjekësi ashtu edhe në drejtime tjera, të cilat do t’i ilustrojmë edhe me sugjestionet përkatëse. Prandaj, për të mos i përsëritur sugjestionet dy herë, mund t’i zhfrytëzoni dhe t’i zbatoni sugjestionet e heterohipnozës për autohipnozë, por duhet që ato t’i përshtatni në vetën e parë njëjës. Për shembull, nga „Ju jeni...“, në „Unë jam...“, e kështu me radhë.